top of page

Makro Trendet 

Tregtia e së Ardhmes

Nëntor, 2022
20 minuta lexim

Rrjetet botërore të vlerës po i nënshtrohen një transformimi të fuqizuar nga decentralizim i kërkesës, aftësitë e reja, dhe teknologjitë e gjeneratës së re. Përderisa debati i zakonshëm mbi tregtinë shpeshherë ngelet i fokusuar në rikapjen e së kaluarës, liderët e biznesit po shikojnë drejt së ardhmes. 

  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram

Supozimi kryesor që ka mbështetur të kuptuarit konvencional të dinamikave komerciale globale gjatë shekullit të 21-të parasheh se përjetësimi i ndërvarësisë ndërkombëtare është i pashmangshëm. Mirëpo, të dhënat empirike tregojnë se integrimi ekonomik botëror ka një kohë që ndodhet në rënie të rrëpirtë. 

Që nga kriza ekonomike globale e vitit 2008,  dy ekonomitë më të mëdha të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, janë përfshirë në përpjekje për të siguruar një vetëmjaftueshmëri më të madhe dhe për të mbrojtur sektorët strategjikë duke ngritur barriera të ndërsjellta tregtare. Natyrisht, tensioni i krijuar nga përshkallëzimi i shkëputjes SHBA-Kinë ka përçarë zinxhirët e furnizimit anë e kënd globit dhe ka nxitur tërheqjen e hiperglobalizimit.

CARBON TAX-21.png

Stagnimi i ndërlidhjes ekonomike është përkeqësuar nga ndikimi i pandemisë COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës. Akumulimi i erërave të pafavorshme të shkaktuara nga këto zhvillime ka sjellë bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar në një pikë kthese mjaft shqetësuese. Për biznese rezulton se po bëhet praktikisht e pamundur që të mirëmbajnë zinxhirë furnizimi të shtrirë në distanca të largëta.

CARBON TAX-11.png

Rrjetet botërore të vlerës po i nënshtrohen një transformimi të fuqizuar nga decentralizim i kërkesës, aftësitë e reja, dhe teknologjitë e gjeneratës së re. Përderisa debati i zakonshëm mbi tregtinë shpeshherë ngelet i fokusuar në rikapjen e së kaluarës, liderët e biznesit po shikojnë drejt së ardhmes.

CARBON TAX-17.png

Kompanitë e orientuara drejt së ardhmes janë të vetëdijshme se bazat e ekonomisë të së kaluarës si kapitali, energjia dhe fuqia punëtore e lirë po erodohen. Përballë rritjes së shpejtë të kostove, mungesave gjymtuese të furnizimeve, dhe bllokimeve ngulfatëse, këto kompani po ndërmarrin hapa për të rikalibruar organizimin e zinxhirëve të tyre furnizues. Mundësi të reja po shfaqen për ato kompani të cilat mund të mësojnë të navigojnë realitetin e ri me sukses.

1

Fuqia Punëtore e Kualifikuar

Gjatë katër dekadave të fundit, vendimet lidhur me vendin ku do të bazohej prodhimi vareshin kryesisht nga kosoja e fuqisë punëtore, veçanërisht në industritë me intensitet të lartë pune. Sot, perspektiva është tërësisht ndryshe. Zinxhirët e vlerës kanë intensitet më të lartë të njohurive. Si rezultat, fuqia e lirë punëtore efektivisht është shndërruar në një faktor të rëndësisë inferiore. 

E ARDHMJA E TREGETISE-23.png

Më pak se 20% e tregtisë globale të mallrave bazohet në arbitrazhin e kostos së punës, dhe trendi i rënies është edhe më i theksuar në prodhimtarinë me intensitet të lartë të punës.

Përderisa ky zvogëlim është pjesërisht pasojë e teknologjive të kursimit të fuqisë punëtore dhe pjesërisht reflektim i rritjes së pagave në shtetet në zhvillim, është e dukshme se edhe disa konsiderata tjera po informojnë vendimet për përzgjedhjen e lokacioneve të prodhimit. Kompanitë gjithnjë e më shumë po marrin parasysh cilësinë e infrastrukturës, qasjen në burime natyrore, disponueshmërinë e fuqisë punëtore të kualifikuar, dhe aftërsinë me konsumatorët. 

Zhvendosja nga prodhimi me intensitet të lartë të punës në prodhimin me intensitet të lartë të kapitalit do të ketë implikime të rëndësishme për pozitën e shteteve me të ardhura të ulëta në zinxhiirët global të vlerës. Gjersa gjenerimi i vlerës po lëviz drejt aktiviteteve të nivelit më të lartë, njohuritë dhe asetet jomateriale po bëhen më të rëndësishme. Rrjedhimisht, shtetet me fuqi punëtore të kualifikuar, inovacion të bollshëm, dhe mbrojtje të fuqishme të pronësisë intelektuale do të bëhen destinacionet e reja të preferuara për prodhim. 

2

Regjionalizimi

Narrativat e përhapura lidhur me tregtinë globale mbivlerësojnë tej mase kufijtë gjeografik të tregtisë ndërkombëtare. Në fakt, pjesa dërmuese e tregtisë globale është më shumë rajonale se sa globale. Kompanitë që synojnë të absorbojnë benefitet e tregjeve ndërkombëtare shpesh janë të prirura që të qëndrojnë më afër shtëpisë se ç’mund të mendohet.

CARBON TAX-25.png

Maturimi i ekonomive në zhvillim  është një nga forcat nxitëse që po riformëson peizazhin e aktivitetit komercial. Rritja e kërkesës në shtetet në zhvillim ka çuar drejt një grupimi më të ngushtë të prodhimit dhe konsumit. Kina është padyshim kontribuesi më i madh në zvogëlimin e distancës dhe intensitetit të tregtisë. Mirëpo, ndonëse akoma në faza më të hershme, shtetet tjera në zhvillim poashtu po shfaqin shenja të evolucionit strukturor ekonomik.

CARBON TAX-19.png

Ky ndryshim i rëndësishëm në gjeografinë e kërkesës globale paraqet mundësi fitimprurëse për eksportues nga të gjitha industritë. Kompanitë lidere që po përkushtohen në diversifikim dhe qëndrueshmëri janë më të përgatiturat për të përdorur maksimalisht mundësitë që po shpalosen. Vendimmarrja e tyre tashmë nuk përcaktohet vetëm nga kostot e prodhimit. Përkundrazi, theks i veçantë po i vendoset afrimit të tregut, diversifikimit të shitësve, lokalizimit të furnitorëve, krijimit të proceseve paralele, dhe akumulimit të rezervave të stokut.

CONSTELLATIONS (2).png

Tensionet e fundit gjeopolitike kanë nxjerrë në pah përparësitë e përafrimit më të ngushtë me aleatë, si dhe nevojën për të reduktuar varësinë nga vendet jobashkëpunuese. Në veçanti, paqëndrueshmëria e shtuar ka prodhuar një shtysë për Bashkimin Evropian që t’i adresojë limitet e unitetit të vet si bllok.

Presioni mbi BE-në nga periferia e kontinentit është në rritje. Qoftë përhapja e luftës hibride nga Rusia, apo tërheqja e intensifikuar nga orbita kineze nëpërmjet Një-Rrip-Një-Rrugë (One Belt-One Road), influencat malinje në Evropën Lindore nuk mungojnë. Përgjigjja e Bashkimit Europian ndaj problemeve që zhvillohen në fqinjësinë e saj, do të përcktojë perspektivën potenciale të tregut të përbashkët. 

Vetëdijësimi i shtuar mbi brishtësinë e zinxhirëve të furnizimit me shtrirje të gjerë ka bërë që bizneset të jenë më të matura karshi paqëndrueshmërisë së tregjeve të vendeve jomiqësore, të cilat shpeshherë janë të prirura të kenë sjellje të çrregullta. Rrjedhimisht, kompanitë po kërkojnë angazhime më të besueshme me partnerë nga vendet që ndajnë vlera demokratike dhe interese të përbashkëta.

CARBON TAX-13.png

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë të antarësohen në Bashkimin Evropian dhe kanë vendosur konriza të veprimit që përafrojnë politikat e tyre me standardet e BE-së. BE-ja është partneri kryesor tregtar Ballkanit Perëndimor, si për eksportet ashtu edhe për importet. Gjersa rrjetet tregtare orientohen drejt përqafimit të ‘friendshoring/allyshoring’ Ballkani Perëndimor është i përgatitur që të përfitojë nga momentumi i favorshëm duke e shfrytëzuar atë si një platformë për të fuqizuar integrimin në zinxhirët e furnizimit perëndimor. 

3

Teknologjitë e Reja

Net efekti i rolit të teknologjive të reja mbi rrjetet botërore të vlerës ngelet akoma i paqartë. Megjithatë, tashmë është mjaftueshëm e qartë se progresi teknologjik po ndryshon natyrën e tregtisë. Sot, fluksi i të dhënave dhe informacionit gjeneron dukshëm më shumë vlerë ekonomike se sa tregtia e mallrave.

Teknologjia digjitale dhe fluksi i të dhënave janë indet e reja lidhore të ekonomisë globale. Disponueshmëria e komunikimit të menjëhershëm dhe me kosto të lirë ka rritur në mënyrë eksponenciale shkëmbimin e shërbimeve në mbarë botën. Ndonëse është e vërtetë që tregtia botërore e mallrave është shtypur dhe qarkullimi ndërkufitar i kapitalit ka ngecur, ndikimi afatgjatë i progresit teknologjik në tregtinë e mallrave ende mbetet për t’u parë.

CARBON TAX-26-26.png

Ndryshimi po ndodh me një ritëm të përshpejtuar në të gjithë sektorët dhe industritë, i ngjeshur tashmë edhe më shumë nga pandemia COVID-19. Me gjasë më shumë se kurrë kompanitë po e ndjejnë nevojën për të kapur mundësitë e ofruara nga avancimet e mëdha digjitale. Nuk është çudi që shumë udhëheqës të industrive e kanë bërë transformimin digjital pikë kyçe të efikasitetit operacional dhe inovacionit të tyre.

Duke pasur parasysh se automatizimi dhe inteligjenca aritificiale (AI) mund të përforcojnë trendin e prodhimit me intensitet të lartë të kapitalit, shpenzimet e kapitalizuara ka gjasë që në të ardhmen të fokusohen në kërkim dhe zhvillim (R&D) dhe asete jomateriale si: softuerët, markat, dhe pronësitë intelektuale. Realiteti i ri kërkon një qasje me prioritizim digjital për ata që duan të fitojnë besnikërinë pasionante të konsumatorëve përderisa frymëzojnë energji, entuziazëm dhe kreativitet tek punonjësit për të lehtësuar rritje fitimprurëse, të qëndrueshme, dhe organike.

CARBON TAX-15.png

Mendimet Tona të Fundit

bottom of page